Pasi vrau dy vëllezërit në Kurjan të Roskovecit, autori Altin Kuka e ka lënë armën tip kallashnikov në vendin e ngjarjes dhe ka shkuar tek bashkëshortja e tij, e cila po shiste në një treg të fruta-perimeve.
Mësohet se autori i është drejtuar gruas me fjalët “unë i vrava të dy, po shkoj të dorëzohem në polici”.
Altin Kuka e ka pranuar para uniformave blu autorësinë e vrasjes së Gramos dhe Lavdimir Kurtaj, por arsyeja e konfliktit mes tyre akoma nuk është zbardhur.
Referuar informacioneve paraprake, ka qenë një sherr mes fëmijëve që është bërë shkak për vrasjen e dyfishtë.
Të shtënat ndodhën në një lokal të fshatit, ku Altin Kuka shkoi bashkë me të birin 21-vjeçar “për t’u sqaruar”.
Zanafilla, të paktën sipas të dhënave të deritanishme, dyshohet të ketë qenë një sherr i ndodhur mes djalit të autorit të dyshuar dhe djalit të njërit prej viktimave, Gramos Kurtajt.
Pas krimit, Altin Kuka u vetëdorëzua, ndërsa djali i tij u vu në pranga në tentativë arratisje në aksin Fier-Berat.
Viktimat Gramos Kurtaj dhe Lavdimir Kurtaj janë vëllezër gjaku, por njëri prej tyre është dhuruar tek xhaxhai, ndaj janë të regjistruar në Gjendje Civile si xhaxha dhe nip.
Për krimin e dyfishtë, Policia ka shoqëruar mbi 10 persona për t’i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.