Sanija Ameti, shqiptare e Kosovës, aktualisht këshilltare e Partisë Liberale të Gjelbër në Zvicër është vënë në qendër të një skandali pas publikimit në Instagramin e saj të një videoje ku qëllonte me armë një foto të Virgjëreshës Mari që mbante në krahë Jezu Krishtin.
Pas këtij postimi, Ameti u përball me një valë kritikash.
Mediat lokale raportojnë se fotoja është riprodhim nga një artist italian mesjetar, marrë nga një katalog ilustrativ.
Pas një serish reagimesh negative, Ameti e hoqi postimin dhe kërkoi falje. Ajo shpjegoi se e kishte përdorur imazhin nga katalogu sepse kishte qenë “i duhuri në madhësi” për të shërbyer si objektiv.
“Nuk i kushtova vëmendje përmbajtjes së imazhit,”-tha ajo, duke pranuar se ishte gabim, duke e quajtur veprimin e saj “absolutisht të marrë.”
Disa politikanë konservatorë e dënuan veprimin e Ametit dhe kërkuan dorëheqjen e saj. Disa e akuzuan për nxitje të urrejtjes ndaj të krishterëve dhe kërcënuan me veprime ligjore.
Ndër ta ishte Nicolas Rimoldi, presidenti i lëvizjes Mass-Voll. Ai shpalli qëllimin e tij për të paraqitur një ankese penale ndaj Ametit, duke e akuzuar atë për shqetësimin e lirisë fetare. Sipas ligjit zviceran, kushdo që ofendon ose tall besimet fetare të të tjerëve në publik ose “sulmon” objekte fetare mund të gjobitet.
Sipas raportimeve, familja e Sanija Ametit erdhi në Zvicër si refugjate nga Kosova në vitet ’90.
Ameti, një politikane liberale, aktualisht udhëheq lëvizjen politike “Operacioni Libero.” Ky pozicion e ka bërë atë të njohur në të gjithë Zvicrën. Që nga viti 2019, ajo është anëtare e bordit ekzekutiv të Partisë Liberale të Gjelbër në Zvicër, dhe që nga viti 2020, është anëtare e drejtimit të Partisë Liberale të Gjelbër në Kantonin e Zyrihut.