Sara Gjordeni së fundmi shprehu hapur frustrimin e saj ndaj portaleve mediatike që vazhdimisht e cilësojnë atë si “modele” ose “blogere”.
Në një postim të drejtpërdrejtë në Instagram Story, ajo sqaroi se këto terma nuk përfaqësojnë saktë rrugëtimin e saj profesional.
Sara deklaroi: “Nuk e di nëse i ndodh ndonjë figure tjetër publike kjo, por unë bezdisem pafund nga portalet që më cilësojnë ‘modele’ ose ‘blogere’. Me gjithë respektin ndaj profesionit, po unë s’kam qenë kurrë modele as blogere.” Ajo shpjegoi se, megjithëse ka punuar si fotomodele nga mosha 14 deri në 17 vjeç, ajo hoqi dorë nga kjo fushë për të ndjekur pasionet e saj të vërteta profesionale.
Gjordeni vijoi duke theksuar rolet dhe arritjet e saj të ndryshme. “Unë jam juriste bankash, moderatore, aktiviste për çështjet e të rinjve dhe sociale, redaktore ca kohë, ish CEO, specialiste marketingu, ish specialiste e krimit kibernetik ndaj sistemit të bankave, etj, etj, etj. ‘Modele’…,” shkroi ajo.
Deklarata e saj është një thirrje për njohje më të saktë të identitetit dhe arritjeve të saj profesionale, duke treguar një problem më të gjerë që shpesh ndeshen figurat publike me karriera të shumëfishta, të cilat reduktohen në etiketime të thjeshta nga media.