Në sezonin e ri, drejtimi i emisionit investigativ “Fiks Fare” i është besuar dy emrave të njohur të ekranit shqiptar: Julian Deda dhe Xhemi Shehu.
Të dy personazhet ishin të ftuar sot në studion e “Wake Up”, ku ndanë emocionet dhe pritshmëritë e tyre për këtë sfidë të re televizive.
Gjatë intervistës, Xhemi Shehu foli edhe për “Portokallinë”, një emision që ka luajtur një rol të rëndësishëm në karrierën e saj.
Ajo la të hapur mundësinë e një rikthimi të përkohshëm në këtë program, për të interpretuar ndonjë rol së bashku me Julian Dedën.
“Portokallia është dashuria ime e vjetër; mund të rikthehem ndonjëherë për një rol me Julin,” tha ajo.
E pyetur për atë që do t’i mungojë më shumë nga “Portokallia,” Xhemi, me emocione të dukshme dhe lot në sy, tregoi: “Do më mungojnë kolegët. Janë shumë të mirë dhe do të më mungojnë shumë; është një staf që e dua shumë. I uroj suksese Nevinës dhe jam e bindur që do të shkëlqejnë dhe do të kenë shumë sukses.”
Me këtë ndryshim të madh, ky sezon pritet të sjellë një dimension të ri për “Fiks Fare,” ndërsa Xhemi Shehu dhe Julian Deda sjellin eksperiencën dhe dinamizmin e tyre në një format që vazhdon të tërheqë shikuesit.