Një person u vra dhe pesë të tjerë u plagosën gjatë një përplasjeje të armatosur të ndodhur në orët e vona të së dielës, më 1 shtator, në lagjen Aktash, në rrugën “Gazmend Zajmi” në Prishtinë.
Konflikti përfshiu dy familje me histori përplasjesh të mëparshme: Sekiraqët dhe Capat.
Sipas raportimeve nga “Klan Kosova”, viktima është Premtim Gashi, një anëtar me ndikim i grupit të Capave, i cili kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu. Konflikti mendohet të ketë lidhje me një përplasje të mëparshme midis këtyre dy familjeve, ku një anëtar i familjes Capat ishte plagosur disa muaj më parë.
Nga familja Sekiraqa, Salih Sekiraqa, 47 vjeç, i konsideruar personi më me ndikim në grupin e tij, mbeti i plagosur në incident. Të plagosur nga arma e zjarrit mbetën gjithashtu Korab Gashi (vëllai i Premtimit), Robert Llumnica (29 vjeç), Fatos Abazi (35 vjeç) dhe Valdrin Ademi (21 vjeç), sipas raportimit të “Sinjali”.
Ndër të plagosurit, Robert Llumnica dhe Valdrin Ademi janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, duke e bërë situatën më të tensionuar në mes të këtyre dy grupeve që kanë histori konfliktesh të vazhdueshme.