Tronditet futbollisti i Napolit/ Kërcënohet me jetë dhe i vidhet vlera marramendëse pas ndeshjes së djeshme (Video)

David Neres, futbollisti i ekipit italian, Napoli, ka përjetuar një natë tmerri pas ndeshjes kundër Parma Calcio.

Teksa ai dhe gruaja e tij, modelja gjermane Kira Winona, po ktheheshin në hotel me një minibus, u sulmuan nga dy kriminelë të armatosur.

Kriminelët, duke përdorur një motor për të ndjekur minibusin, thyen xhamin e dritares dhe i drejtuan armën Neresit, duke e urdhëruar që t’u dorëzonte orën e tij luksoze, me vlerë të parashikuar rreth 100 mijë euro.

Pa hezitim, futbollisti i dorëzoi orën dhe kriminelët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Neres më pas denoncoi grabitjen në polici dhe u kthye në hotel, ku u prit nga një grup fansash të cilët, të pavetëdijshëm për çfarë kishte ndodhur, u dukën të habitur nga sjellja e tij e tërhequr dhe me kokën ulur.

Kira Winona zgjodhi të komunikonte me ndjekësit e saj dhe tifozët e Napolit përmes Instagram-it. Ajo postoi një mesazh ku shpjegonte arsyet e sjelljes së bashkëshortit të saj pas ngjarjes traumatike.

“David do të donte t’u kërkonte falje tifozëve që e prisnin jashtë, por teksa po dilnim nga stadiumi pas ndeshjes, dy burra me motor na thyen xhamin e makinës dhe na grabitën me armë,” shkroi Kira në postimin e saj.

Postimi i saj ka tërhequr shumë vëmendje dhe ka marrë mbështetje të gjerë nga fansat, të cilët kanë shprehur solidaritetin dhe mirëkuptimin e tyre për situatën e pazakontë dhe të frikshme që përjetuan çifti.

Ndërkohë, autoritetet lokale janë duke kryer hetimet për të identifikuar dhe kapur autorët e grabitjes.