Një situatë e pazakontë ka ndodhur në futbollin shqiptar, pasi trajneri i Kombëtares, Sylvinho, la jashtë listës së lojtarëve të ftuar portierin Gentian Selmani.
Reagimi i menjëhershëm dhe i papritur i familjes së lojtarit solli një përplasje të ashpër që përfundoi me arrestime.
Gentian Selmani, portieri i njohur shqiptar, priste me padurim një ftesë për t’u bashkuar me ekipin kombëtar, veçanërisht pas rikthimit të tij nga një dëmtim i gjatë. Përkundër pritshmërive të tij, kjo ftesë nuk i erdhi. Ky vendim nga trajneri Sylvinho ka ngjallur një zemërim të madh jo vetëm tek vetë Selmani, por edhe tek të afërmit e tij, veçanërisht babai i tij, Nazmi Selmani.
Indinjuar nga ky përjashtim, Nazmi Selmani, i cili është gjithashtu president i klubit Iliria në Fushë-Krujë, fillimisht nisi t’i dërgojë mesazhe kërcënuese presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Dukës. Megjithatë, tensioni nuk përfundoi me kaq. Më vonë, Nazmi Selmani, i shoqëruar nga katër djemtë e tij, Adolf, Santiago, Brajan dhe Petriti, si dhe xhaxhai i tij, vendosi të vizitojë shtëpinë e Armando Dukës në Durrës.
Vizita e familjes Selmani në shtëpinë e Dukës përfundoi me një skenë të papritur. Policia u thirr në vendngjarje dhe arrestoi të gjithë të pranishmit, përfshirë babain e Gentianit, katër vëllezërit dhe xhaxhain.
Kjo ngjarje shënon një tjetër situatë të pazakontë në futbollin shqiptar, ku rivalitetet dhe përplasjet shkojnë përtej fushës së lojës.
Nazmi Selmani, përveçse babai i Gentianit, është një figurë e njohur në futbollin shqiptar, duke drejtuar klubin Iliria në Fushë-Krujë. Klub ku luajnë tri djemtë e tij të tjerë: Adolf, Santiago dhe Brajan. Djali tjetër, Petriti, mban postin e zv. trajnerit. Një familje e cila ka një lidhje të ngushtë me futbollin dhe për këtë arsye, mungesa e Gentianit në Kombëtare u përjetua si një ofendim personal.