Mikela Pupa është përballur me një sulm të ashpër nga komentuesit online për ndryshimet fizike që ka pësuar gjatë shtatzënisë.
Në pritje të ëmbël, ajo është bërë objekt i kritikave dhe talljeve për shenjat e celulitit, barkun e rrumbullakosur dhe fytyrën e fryrë – ndryshime të zakonshme që ndodhin gjatë këtij procesi.
Si përgjigje ndaj komenteve negative, Mikela ka reaguar duke shprehur zhgënjimin e saj dhe duke dërguar një mesazh të fortë për të gjithë ata që e kritikojnë.
Ajo theksoi se ndryshimet fizike gjatë shtatzënisë janë plotësisht normale dhe të pritura, dhe se ato nuk duhet të jenë objekt bullizmi apo ofendimesh.
Mikela shpjegon sesi disa njerëz në rrjetet sociale janë të përqendruar tek denigrimi dhe fyerja, duke përshkruar sulmin e pandërprerë që e kishte përjetuar vetëm disa ditë më parë pas publikimit të një videoje ku tregonte barkun e saj në muajin e shtatë të shtatzënisë.
“Dhe kjo na qenka faj? Në rregull, kostot e të qenurit një personazh publik shkojnë paralelisht me kënaqësitë që të jep ky status,” – shkruan ajo, duke bërë thirrje për një ndërgjegjësim më të madh ndaj natyrës së bekimit të shtatzënisë dhe ndryshimeve të shëndetshme që e shoqërojnë atë.
Mikela, e cila për herë të parë është bërë subjekt i një sulmi të tillë masiv në rrjetet sociale, kërkon që njerëzit të mendojnë përpara se të shkruajnë komente të tilla dhe të reflektojnë mbi ndikimin që ato kanë. Ajo u bën thirrje të gjithëve që të respektojnë dhe të kuptojnë bukurinë e procesit të shtatzënisë, duke thënë: “Shtatzënia është një bekim dhe ndryshimi fizik për atë që do të bëhet nënë është kaq i mikpritur, saqë vetëm urryesit e rrjeteve sociale nuk e kuptojnë.”
Deklarata e plotë:
“Një vajzë personazh publik, publikon foto nga plazhi, në këmbët e saj shihen shenjat e para të celulitit, barku i rrumbullakosur dhe fytyra e fryrë. Komentet në rrjet janë masakruese, saqë vajza fillon dhe i kërkon fajet tek vetja për një proces ndryshimi normal në muajt e shtatzënisë. Por turma e orientuar pas denigrimit, fyerjes dhe dëshirës për të bërë keq nuk mendon kaq gjatë. Kjo vajzë është e demormuar, kjo vajzë po ha shumë, kjo vajzë është një kafshë e frikshme që meriton të gjithë vrerin e stomakut të parazitërve që e gjejnë qetësinë e shpirtit kur rrjeshtojnë në tastierë lumin e sharjeve. Këtë sulm në bllok me plota nota urrejtjeje e përjetova vetë në kurriz pak ditë më parë, vetëm se guxova të postoj një video, ku dukej qartë barku i shtatzënisë tashmë në muajin e 7-të. Dhe kjo na qenka faj? Në rregull, kostot e të qënurit një personazh publik shkojnë paralelisht me kënaqësitë që të jep ky status. Ndoshta për këtë nuk reagojnë as shumica e personazheve përball këtyre turmave. Por ama dikur duhet reaguar sepse shtatzënia është një bekim dhe ndryshimi fizik për atë që do të bëhet nënë është kaq i mikpritur, saqë vetëm urryesit e rrjeteve sociale nuk e kuptojnë. Prandaj herën tjetër kur të shkruani mendoni dhe shihni pak për rreth, mund të shihni dhe më keq nëse e keqja është thjeshtë shtatzëne”.