Cristiano Ronaldo ka zbuluar se planifikon të përfundojë karrierën e tij me klubin aktual, Al Nassr, por ndoshta jo për dy apo tri vite.
Ylli portugez ka shuar çdo shpresë për një rikthim në klubin e tij të parë, Sporting Lisbon, duke konfirmuar se ka në plan të qëndrojë në Arabinë Saudite deri sa të tërhiqet nga futbolli.
“Nuk e di nëse do të tërhiqem së shpejti, në dy apo tri vite, por ndoshta do të dalë në pension këtu në Al Nassr,” tha Ronaldo për kanalin portugez NOW. “Jam shumë i kënaqur në këtë klub, ndihem mirë në këtë vend gjithashtu. Jam i lumtur të luaj në Arabinë Saudite dhe dua të vazhdoj.”
Ronaldo u transferua në Saudi Pro League në dhjetor 2022 pas një largimi të acartë nga Manchester United. 39-vjeçari ka luajtur në të gjitha ndeshjet e Portugalisë në Euro 2024, ku ekipi i tij arriti në çerekfinale përpara se të humbiste ndaj Francës me penallti.
Ai synon të vazhdojë të luajë për ekipin kombëtar, të paktën për momentin, dhe shpreson të marrë pjesë në ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve kundër Kroacisë dhe Polonisë.
“Kur të largohem nga ekipi kombëtar, nuk do t’i them askujt më parë dhe do të jetë një vendim shumë spontan nga ana ime, por gjithashtu një vendim shumë i menduar,” shtoi Ronaldo. “Për momentin, ajo që dua është të ndihmoj ekipin kombëtar në ndeshjet e ardhshme. Ne kemi Ligën e Kombeve përpara dhe do të doja shumë të luaja.”
Ronaldo, që aktualisht ka 898 gola në karrierë, gjithashtu zbuloi se nuk ka dëshirë të jetë trajner kur të tërhiqet nga futbolli. “Për momentin, nuk po mendoj për të qenë trajner i ekipit të parë ose ndonjë ekipi tjetër,” tha ai. “Nuk më ka kaluar ndonjëherë në mendje, nuk e kam menduar kurrë. Nuk e shoh të ardhmen time në këtë drejtim. Shikoj veten duke bërë gjëra të tjera jashtë futbollit, por vetëm Zoti e di se çfarë do të sjellë e ardhmja.”