Reperi i njohur, Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku u lirua nga paraburgimi disa ditë më parë, pas garancisë pasurore të vendosur në shumën e 50 mijë eurove në Gjykatën e Durrësit.
Ai u arrestua nga autoritetet shqiptare bashkë me shokun e tij Dj Crax me qëllim ektradimin për llogari të drejtësisë së Kosovës, pasi akuzoheshin se i kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore, personazhit të njohur të Tik Tok-ut, Medi Iseni.
Në një postim në rrjetin social, Instagram reperi ka hedhur akuza në drejtim të politikës se masat penale të ndërmarra ndaj tij kanë qenë tendencioze, me qëllimin për t’i dëmtuar imazhin.
Megjithatë, Noizy shprehet se Zoti kishte plane të tjera për të dhe suksesin e tij, ndërsa paralajmëron edhe mbajtjen e një koncerti madhështor në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë më 21 gusht, për të festuar në këtë mënyrë rikthimin e tij të fuqishëm në muzikë.
“Plani politikës ishte të më ndalnin suksesin dhe punën që unë di të bëj më së miri ‘Muzikën&Koncertet’, mirëpo Zoti kishte plane të tjera për mua.
Dhe ja ku jemi këtu duke ju vërtetuar se asgjë nuk mund të na ndalë kur jemi në të drejtën tonë dhe në rrugë të Zotit”,- ka shkruar reperi Noizy në rrjetin social, Instagram.
Kujtojmë se shoku i Noizyt, Dj Crax ndodhet ende në paraburgim deri në një vendim të dytë, ndërsa reperi i tjetër Stresi është në kërkim nga policia e Kosovës për ndihmë në sherrin e ndodhur në Pejë.