Pas incidentit skandaloz në aeroport, ku këngëtarja Bebe Rexha pretendoi se u ndalua të fluturonte për shkak se foli shqip, gazetari Ronaldo Sharka ka reaguar publikisht.
Përmes disa postimeve në Instagram, Sharka ngre dyshime mbi versionin e Rexhës dhe e sfidon atë të japë një intervistë në shqip.
Ronaldo Sharka i ka dërguar një mesazh personal Bebes, ku e fton në një intervistë televizive, me kusht që ajo të flasë 100% shqip.
Në mesazhin e tij, gazetari shkruan: “Gjithsesi, për të qenë profesionist, do doja t’ju ftoja në një intervistë televizive në shtator, 100% shqip… Në pritje të përgjigjes tuaj, Ronaldo.”
Sharka shprehet skeptik për incidentin e përshkruar nga Bebe Rexha, duke theksuar se në intervistat e saj të dhëna më parë në Shqipëri dhe Kosovë, ajo nuk ka folur në shqip, por vetëm në anglisht.
Ai publikoi foto nga intervistat ku Bebe përdor anglishten, duke theksuar këtë fakt dhe duke ngritur pyetje mbi pretendimet e saj.
Ronaldo Sharka vazhdoi të sfidojë këngëtaren në postimet e tij, duke thënë: “E dashur Bebe, kjo dreq fame nuk është me të shtyre. O ndez, o nuk ndez. Dua Lipa ka ndezur pa bërë këto dramat që bën ti.” Ai shtoi se nuk ka pasur ndonjë rast të tillë në përvojën e tij si gazetar dhe e fton Bebën të tregojë aftësitë e saj në shqip në një intervistë të ardhshme.
Deri më tani, Bebe Rexha nuk ka reaguar ndaj sfidës së gazetarit, por incidenti vazhdon të jetë temë diskutimi në mediat dhe rrjetet sociale.
Tani mbetet të shihet nëse këngëtarja do ta pranojë ftesën për një intervistë plotësisht në shqip.