Dukagjin Lipa, babai i super yllit botëror të muzikës, Dua Lipa, ka ndarë së fundmi në podcastin “3GO” disa detaje interesante rreth fillimeve të tij të vështira. Ai tregoi për përpjekjet e tij për të balancuar studimet dhe punën, dhe për sfidat që ka hasur gjatë rrugëtimit të tij drejt suksesit.
Dukagjin Lipa rrëfeu se gjatë studimeve ka punuar në disa punë të ndryshme për të mbështetur veten dhe familjen e tij. Një nga punët e para që ai ka bërë ishte si shitës i xhaketave të lëkurës, një përvojë që e kujton me një lloj nostalgjie.
“Punë të parë kam punuar në bar. Jo, s’është në bar, kam shitur xhaketa lëkure? Unë gjithmonë kam pasur dëshirë që të punoj edhe si student. Ndoshta sepse babanë ma larguan nga puna gjatë regjimit serb, dhe financat nuk ishin më njësoj”, thotë ai.
Ky përkushtim dhe punë e palodhur janë elemente që kanë formësuar karakterin dhe vendosmërinë e tij, cilësi këto që duket se i ka trashëguar edhe vajza e tij, Dua Lipa, e cila sot është një nga artistet më të suksesshme në botë.
Përveç angazhimeve të tij si menaxher i Dua Lipës, Dukagjin Lipa është gjithashtu një sipërmarrës i suksesshëm në Prishtinë, është pronar i agjencisë e marketingut “Republika”. Kjo agjenci është edhe organizatore e festivalit “Sunny Hill”, i cili ka sjellë në Prishtinë dhe Tiranë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore.
Historia e Dukagjin Lipës është një dëshmi e fuqishme e asaj se si përkushtimi dhe puna e palodhur mund të të ndihmojnë të përballosh vështirësitë dhe të arrish suksesin, pavarësisht nga pengesat që mund të të dalin përpara.