Reperi i njohur shqiptar Noizy, i cili ka qenë në paraburgim për më shumë se një javë për shkak të përfshirjes së tij në sherrin e bujshëm në Pejë, është liruar sot nga Gjykata e Durrësit.
Vendimi për lirimin e tij me garanci pasurore prej 5 milionë lekësh të reja ka ngritur pikëpyetje rreth ekstradimit të tij në Kosovë dhe procesit gjyqësor atje.
Noizy u arrestua në Shëngjin së bashku me disa persona të tjerë pasi akuzohej për dhunën ndaj tiktok-erit Medi Iseni në një klub nate në Pejë. Ndërsa pritej ekstradimi i tij në Kosovë, Gjykata e Durrësit ka shpërfillur kërkesën e Ministrisë së Kosovës, duke e liruar atë me garanci pasurore.
Ndryshe nga Noizy, Dj i tij Bahtjar Bajraktarai, i njohur si Crax, nuk është liruar nga paraburgimi. Si shtetas i Kosovës, vendimi për të do të merret nga Gjykata Themelore e Pejës, e cila ende nuk ka marrë një vendim.
Situata mbetet e paqartë për të dy të ndaluarit, ndërsa lirimi i Noizyt ka ngritur diskutime të shumta. Vendimi i Gjykatës së Durrësit është pritur me reagime të ndryshme, duke përfshirë edhe ndjekësit e tij të shumtë, të cilët presin të shohin çfarë do të ndodhë më tej me këtë rast.