Pas ngjarjes tronditëse ku Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Antonela dhe Mariela Berisha, ajo ka reaguar sërish në rrjetet sociale.
Në postimet e saj të fundit, Klea falënderon të gjithë ata që i kanë uruar shërim të shpejtë dhe ka vlerësuar mbështetjen që ka marrë nga publiku në këtë periudhë të vështirë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, reagoi dje në lidhje me rastin, duke theksuar angazhimin e policisë për kapjen e motrave Berisha.
“Policia është angazhuar për kapjen e personave. Shumë shpejt do të keni njoftimin për kapjen e tyre,” tha Rrumbullaku në një deklaratë për mediat. Pavarësisht kontrolleve të shumta të kryera nga agjentët e Komisariatit nr. 1, deri tani motrat nuk janë gjetur.
Antonela dhe Mariela Berisha janë shpallur në kërkim për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, dhe përballen me dënime deri në 10 vjet burg. Incidenti ka shkaktuar reagime të ashpra në opinionin publik, duke theksuar rëndësinë e sigurisë dhe drejtësisë.
Ngjarja ndodhi në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, ku Klea Prenga ishte duke darkuar. Motrat Berisha e sulmuan atë me sende të forta në fytyrë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Shkaku i dyshuar i dhunës është xhelozia e Mariela Berishës, e cila besonte se Klea kishte një lidhje me bashkëshortin e saj për më shumë se një vit.
Para hetuesve, Klea ka preferuar të mos japë detaje mbi arsyet e sulmit, duke pretenduar se nuk ka dijeni pse motrat e kanë dhunuar. Ndërsa hetimet vazhdojnë, Klea mbetet e fokusuar në shërimin e saj dhe mbështetjen e marrë nga njerëzit që e ndjekin dhe e mbështesin gjatë kësaj periudhe të vështirë.