Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe si Stresi, ka dhënë së fundmi një deklaratë për mediat e Kosovës, teksa ndodhet në arrati dhe kërkohet nga autoritetet e drejtësisë atje.
Reperi ka deklaruar ndër të tjera se pret që të shpallet i pafajshëm dhe më pas do të shkojë vetë të paraqitet tek autoritetet. Po ashtu ka deklaruar se ndodhet 300 km larg Tiranës dhe se është mirë.
“Ndodhem diku 300 km nga Tirana, jam shumë mirë, po pres shqyrtimin si do shkojë kjo çështje. Kam pas në mend të dorëzohem por duke parë që çfarë i ka ndodhur Noizy-t dhe Crax, nuk jam dorëzuar se kam dit që do më mbajnë dhe mua kot. Po pres si do shkojë procesi dhe do vijë dita që do dal i pafajshëm dhe do të dorëzohem”.
Teksa thekson se është i pafajshëm në këtë ngjarje bashkë me Noizy-n dhe DJ e tij, ai shprehet se pasi të përfundojë çështja kanë projekte të mëdha.
Sakaq vendimin për të ekstraduar Noizy-n ai e quan absurd dhe një gjë që nuk do të ndodhë pasi çështja do të përfundojë në Shqipëri.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest me burg” për Noizy-n dhe për Bahtjar Bajraktarin, mikun e tij. Vendimi është marrë me qëllim ekstradimin e tyre drejt Kosovës. Ata u arrestuan në Lezhë dhe me kërkesë të autoriteteve të Kosovës, akuzohen së bashkë me disa persona të tjerë kanë dhunuar Muhamet Isenin, një personazh të TikTok-ut, i njohur si Medi.
Ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të një koncerti në Pejë pak ditë më parë.