Egli Proga, 42-vjeçari nga Pogradeci, humbi jetën pas dhunës brutale nga 29-vjeçari Denis Meçe, djali i një biznesmeni në zonë dhe nipi i ish-drejtorit të Postës Shqiptare, Valter Gorës.
Ngjarja fillimisht u raportua si aksidentale, ku u tha se Proga hum i jetën pasi u rrëzua në rrugë, por pas pretendimit të familjarëve se ishte dhunuar, rezultoi se ai vdiq si pasojë e plagëve të marra nga dhunimi që iu bë nga Meçe, teksa u la për 30 minuta i shtrirë në Rrugë.
Pas raportimi të ngjarjes në media dhe zbulimit të situatës, mbrëmjen e sotme policia ka reaguar dhe ka deklaruar se nuk është tentuar që ngjarja të fshihet.
Reagimi i policisë:
Nisur nga disa lajme të publikuara në rrjete sociale në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në Pogradec, ku si pasojë e një konflikti humbi jetën një 42-vjeçar, dhe për këtë aludohet se është tentuar të fshihet ngjarja nga Shefi i Komisariatit të Policisë Pogradec, sqarojmë opinionin publik se:
Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë nga asnjë punonjës i Policisë së Komisariatit të Policisë Pogradec, nuk është tentuar të manipulohet apo fshihet ngjarja.
Ngjarja është vlerësuar maksimalisht nga Strukturat e DVP Korçë dhe ato të Komisariatit Policisë Pogradec është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, është ngritur Grupi hetimor, janë sekuestruar kamerat e lokalit, janë shoqëruar disa persona, që kanë qënë prezent në momentin e ngjarjes dhe janë kryer të gjitha veprimet e para në vendin e ngjarjes me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e saj.
Si rezultat i veprimeve profesionale të kryera nga Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes, identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit dhe tre shtetasve të tjerë për moskallëzim krimi, dhe materialet procedurale janë përcjellë në Prokurori për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore që rezultuan me zbardhjen e ngjarjes dhe arrestimin e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka dhënë njoftim zyrtar me versionin zyrtar.
Ftojmë mediat dhe këdo që është i interesuar për informacion mbi veprimtarinë e strukturave policore apo për ngjarjet e ndodhura në territorin e Qarkut Korçë, që t’i drejtohet zyrës së Komunikimit me Median e Publikun në DVP, dhe jo t’i referohen burimeve jo zyrtare.
Garantojmë qytetarët dhe median se Drejtoria Vendore e Policisë Korçë dhe strukturat në varësi të saj janë të angazhuara maksimalisht për të zbatuar ligjin dhe për të krijuar një ambient sa më të sigurt për qytetarët, pushuesit, vizitorët dhe turistët.
Faleminderit.