Pamjet e babait që nga Algjeria u tregonte gazetarëve fotot e vajzës së tij, Imane Khelif, kur ishte fëmijë, për të dëshmuar se ajo kishte lindur femër, nuk do të donim t’i kishim parë kurrë. Sepse, siç ka shpjeguar boksierja në një intervistë për BBC-në, «dinjiteti dhe nderi janë mbi çdo gjë tjetër».
Bota nuk ka treguar ndjeshmëri, dhe për ditë të tëra pyetjet nëse Khelif ishte djalë apo vajzë ishin kudo. Është një burrë, jo, është një trans, jo, është interseksual. Të gjithë janë trajnerë kur bëhet fjalë për futbollin, të gjithë virologë gjatë Covid-it dhe tani të gjithë janë gjenetistë duke diskutuar për «kromozoma XY», «niveli i testosteronit», «sindromën e Morrisit». Nuk kuptojnë se polemika është shkaktuar nga IBA, asociata ndërkombëtare e boksit që nuk është njohur nga CIO dhe që udhëhiqet nga një personazh si oligraku rus Umar Kremlev, mik i Putinit, i cili në konferencën për shtyp të thirrur disa ditë më parë në Paris u shpreh kështu: «Testet tregojnë se ata janë burra (në lidhje me atletet Imane Khelif dhe Lin Yu-ting). “Nuk verifikojmë çfarë kanë mes këmbëve. Nuk e dimë nëse janë lindur kështu apo nëse kanë bërë ndonjë ndryshim». Aq sa disa gazetarë, përfshirë ata të BBC-së, e braktisën konferencën si shenjë proteste për gjuhën dhe tonin e përgjigjeve, ndërsa Reuters zgjodhi të ndërpresë transmetimin e konferencës.
Askush nuk mund të ndërtojë për këtë vajzë një kujtim tjetër nga këto Lojra Olimpike të Parisit 2024, ajo, me kalimin e kohës, mund të ndërtojë të sajin: duke nisur nga medalja e artë që është një arritje historike për vendin e saj, Algjerinë, që mbrëmë ishte e gjitha në rrugë për të festuar për kampionen e saj, një grua. Grua në një vend mysliman ku, sipas Amnesty International, femicidi nuk është një krim i njohur si i tillë dhe që vetëm një vit më parë ka vendosur ligje kundër shfrytëzimit seksual dhe martesave të detyruara.
Në intervistën me kanalin britanik, Khelif kishte ende nevojë të saktësonte statusin e saj: «Kam kaluar me të drejtë për të marrë pjesë në këto Lojëra. Jam një grua si të tjerat. Kam lindur grua. Kam jetuar si grua. Kam garuar si grua, dhe për këtë nuk ka dyshim». Megjithatë, nuk pati fjalë zemërimi, nuk polemizoi – siç mund të kishte bërë – me Kremlev mbi «provat» që nuk i ka dhënë kurrë për të mbështetur këtë deklaratë: «Në bazë të rezultateve të testeve të ADN-së, kemi identifikuar një numër atletesh që kanë përpjekur të mashtrojnë koleget e tyre duke pretenduar se janë gra. Në bazë të rezultateve të testeve, është provuar se kishin kromozoma XY. Këto atlete janë përjashtuar nga gara». Mëkat që asnjë specifikim i këtyre testeve gjenetike nuk është ofruar, «detajet mbeten të rezervuara», ka thënë gjithmonë IBA, nuk kuptohet për cilën rezervë, duke parë trajtimin që iu bë dy atleteve të përjashtuara nga Botërorët.
E në fund, Khelif ka dashur të përsërisë mesazhin e saj: «Mesazhi im për të gjithë botën është që të gjithë duhet të angazhohen për të respektuar parimet olimpike dhe të shmangin ngacmimet. Ky është një mesazh për vlerat olimpike. Shpresoj që njerëzit të ndalojnë ngacmimet dhe të angazhohen për të respektuar kartën olimpike. Jemi në Olimpiadë për të treguar veten si atletë. Shpresoj që të mos jemi dëshmitarë të sulmeve të ngjashme në të ardhmen». Edhe ne shpresojmë.
Burimi: Vanity Fair