Një krim i rëndë ka ndodhur në azilin privat të të moshuarve në kryeqytet. Një 78-vjeçar i identifikuar si Zyhdi Shehi, ka goditur sot në orët e para të mëngjesit (8 Gusht) disa herë me bastun hekuri pas sherrit të çastit shokun e tij të dhomës, duke i shkaktuar dhe vdekjen e menjëhershme.
Policia konfirmoi ngjarjen e ndodhur rreth orës 04:00 në shtëpinë e kujdesit “Ruaje moshën” dhe bëri me dije se viktima është Virxhil Vesho, 82 vjeç, i cili ka vdekur pas goditjeve dhe traumave në pjesën e kokës. Paraprakisht mësohet se debati ka qenë banal, teksa autori e ka akuzuar shokun “pse i kishte zënë krevatin”.
Të dy të moshuarit sipas përfaqësuesve të azilit privat, vuanin nga skleroza.
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje, rruga “Ali Visha”, në lagjen “Ali Demi” dhe po kryen hetimet, duke këqyrur skenën e krimit, marrë në pyetje autorin e arrestuar dhe mbledhur dëshmitë apo pamjet e kamerave të sigurisë.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin Z. Sh., 78 vjeç, banues në një azil privat, për të moshuarit, për veprën penale “vrasja me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal”, njoftoi paraprakisht policia e kryeqytetit.
Teksa më tej jepen edhe detaje për dinamikën, duke shpjeguar se “krimi ndodhi sot rreth orëve të para të mëngjesit”.
“Për motive të dobëta, i dyshuari ka goditur disa herë me anë të një bastuni (shkop hekuri), shokun e tij të dhomës, shtetasin V. V., 82 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra ka humbur jetën”, sqaroi policia.
Hetimeve i është bashkuar edhe Prokuroria, teksa po verifikohen rrethanat dhe shkaqet e krimit të rëndë. Oficerët po marrin në pyetje 78-vjeçarin Shehi, për të zbuluar motivin konkret që e shtyu të godiste shokun e dhomës për vdekje.
Ky është azili privat i të moshuarve në Tiranë, ku mëngjesin e sotëm ndodhi krimi i rëndë, teksa 78-vjeçari i dyshuar dhe arrestuar Zyhdi Shehi, goditi për vdekje pas sherrit me bastun hekuri shokun e tij të dhomës, 82-vjeçarin Virxhil Vesho.
Azili mban emrin “Ruaje moshën”, por duket se nuk ka ruajtur dot jetën e viktimës, teksa i dyshuari është edhe shkrimtar e historian i njohur, me tituj nderi ndër vite.
Në pamje dallohet tabela me emrin e shtëpisë së kujdesit dhe numri i telefonit. Dera metalike që rrethon vilën pothuajse të mbuluar nga pemët. Sistemi i monitorimit me kamera pranë derës së hekurit dhe një mur i lartë. Në të një njoftim në letër A4, për orarin e punës, vizitave dhe pritjeve, teksa këshillohen vizitorët se takimet nuk zgjasin më shumë se 30 minuta dhe koha duhej respektuar.
Policia beson nga hetimet e para se krimi ka motive të dobëta, për zënien e krevatit të autorit nga viktima.