Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku, bëri një postim dy ditë më parë, ku shprehej se i është kërkuar të paraqitet në Polici pas sherrit në Kosovë.
Mirëpo duket se nga ana e tij, kjo gjë nuk ka ndodhur– të paktën kështu bën të ditur zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
Në një deklaratë për mediat, ai fton edhe qytetarët të japin informacione në lidhje me vendndodhjen e të dyshuarve.
“Nuk është paraqitur përkundër premtimeve që ka pasur avokati i tij se do të paraqitet, nuk është paraqitur në stacionin policor për intervistim dhe për këtë çështje i bëjmë apel këngëtarit dhe gjithë personave të përfshirë në këtë vepër penale që të paraqiten tek organet hetuese”, tha Nikçi.
“Përndryshe kërkojmë edhe ndihmën e gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kushdo që ka informata për vendndodhjen e tyre të bashkëpunojë ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe ju garantojmë që emri i tyre do të jetë konfidencial neve na duhen vetëm informata”, thotë Nikçi.