Seanca gjyqësore ndaj këngëtarit të famshëm është mbajtur dje, ndërsa Justin nuk ka qenë i pranishëm fizikisht për shkak të angazhimit të tij me turneun nëpër Europë.
Gjyqtari i çështjes, Carl Irace mori vendimin për t’i pezulluar lejen e drejtimit këngëtarit Timberlake, vetëm për në Nju Jork.
Seanca u mbajt virtualisht dhe në të ishte i pranishëm edhe ylli i popit, i cili do të performojë sot në Belgjikë, pasi një ditë më parë këndoi para admiruesve të tij në Mynih të Gjermanisë.
Kujtojmë që në 18 qershor, Justin u pa duke drejtuar makinën e tij në rrugën “Madison”, pasi kishte dalë nga një bar ku kishte qëndruar me disa miq. Këngëtari nuk iu bind urdhërit të policit për të ndaluar, ndërkohë nuk kishte respektuar as sinjalistikën e semaforit.
Timberlake u akuzua zyrtarisht për drejtim të mjetit në gjendje të dehur, por u lirua me kusht.
“Akuza ishte një dhe e vetme sepse ai refuzoi testin e frymëmarrjes,” tha avokati i Timberlake, Ed Burke. “Këngëtari u akuzua edhe për dy shkelje të tjera, si mosbindja ndaj urdhrit të policit për të ndaluar dhe kalim në korsinë e gabuar.”
“Detaji më i rëndësishëm në këtë situatë është fakti se Justin nuk ka qenë i dehur dhe nuk duhej të ishte arrestuar nga policia,” tha Burke duke mbrojtur klientin e tij. “Policia bëri një sërë gabimesh në rastin e tij, ndërsa Justin ëshë përpjekur që të respektojë punën e tyre dhe ligjin si në raport me policinë, por edhe me gjykatën. Ne jemi të bindur se akuzat do të bien dhe këngëtarit do i rikthehet leja e drejtimit të makinës,” përfundoi ai.