Trupi i Gianfranco Bonzi është gjetur në lumin Adda në veri të Italisë pasi ishte shpallur i zhdukur disa muaj më parë. Policia thotë se po heton nëse ai është mashtruar online për para.
Sipas informacioneve i ndjeri po gënjehej nga një mashtrues ne rrjet që pretendonte se ishte këngëtarja Dua Lipa. Bonzi u zhduk në Milano pesë muaj më parë, ndërsa trupi i gjetur muajin që shkoi në lumin Adda është konfirmuar nga analizat se është i njëjti njeri.
59 vjeçari punonte si administrator pallati dhe kishte bërë një postim në rrjet pak para zhdukjes. Ai shkruante: “Ky është postimi im i fundit dhe një nga veprimet e fundit të jetës time. Arsyeja është një zhgënjim romantik që nuk mund të përballoja”.
Por policia beson se Bonzi kishte rënë viktimë e një mashtrimi online me kriptovaluta, ndërsa raportimet sugjerojnë se mashtruesi pretendonte se ishte këngëtarja e njohur me origjinë shqiptare Dua Lipa.
Bonzi besohet se ka dërguar para për kantautoren e rreme. Ndërsa një i njohur i tij kishte thënë për mediat lokale: “Ai më thoshte se ajo e quante ‘dashuria ime’. Kishte bërë dy tërheqje në bankë nga rreth 2,500 euro secila prej fillimit të vitit. Në fillim të marsit më tha se i kishte dërguar para. Më pas besoj se personi ishte zhdukur. Ai u zemërua dhe u stresua. Ishte i bindur për marrëdhënien që kishte me të dhe ndjehej i tradhtuar thellë, ishte një zhgënjimi madh për të”. Policia dyshon se Bonzi është vetëvrarë pas trazirës emocionale.