Tre të vrarë dhe një i plagosur në gjendje të rëndë është bilanci i një atentati të ndodhur mbrëmjen e 20 korrikut 2024 që tronditi qytetin e Memaliajt.
Ngjarja është shënuar rreth orës 23:20 në një lokal në lagjen nr.3, para godinës së Bashkisë Memaliaj.
Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili nuk i mbijetoi dot plumbave. Po ashtu, viktima kanë mbetur kamerieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.
Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije po ashtu se i plagosur ka mbetur edhe Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Ai ka qenë i ulur në tavolinë bashkë me të vëllanë Shyqyri (Shyqo) Kalemi, kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi. Ai ndodhet në reanimacion në Spitalin e Gjirokastrës dhe ka marrë dy plagë, një në kofshë dhe një në kraharor.
Autorët, që dyshohet se kanë qenë të paktën 3 persona, kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit.
Një prej tyre ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të 74-vjeçarit Shyqri Kalemi, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit. Plumbat kapën dhe vëllanë e tij, si edhe kamarierin që ishte pranë tavolinës. Ndërkohë, klienti që mbeti vdekur ka qenë brenda në lokal.
Report Tv dhe Shqiptarja.com sollën pamjet nga vendi i ngjarjes, ku dallohet vendi i ‘larë në gjak’, ndërsa xhamat përtokë nga breshëria e kallashit. Pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të Mallakastrës, ku edhe kanë djegur makinën në fshatin Bejaj.
Policia dhe grupi hetimor kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, të cilat do të ndihmojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes, si edhe mund të hedhin dritë në identifikimin e autorëve të këtij krimi të rëndë. 3 persona janë shoqëruar në polici dhe kanë dhënë dëshmi.
Pistë hetimi është hakmarrja, pasi 74-vjeçari është babai i Andrea (Adriatik) Kalemit. Ky i fundit dyshohet të jetë i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në dhjetor të 2022. I moshuari nuk arriti ti shpëtojë plumbave të kallashnikovit siç ndodhi me dy djemtë e tij që kishin arritur t’i shpëtonin atentateve të mëparshme.