Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për të ndaluar përdorimin e TikTok-ut nëpër institucionet shtetërore.
Në një mbledhje të organizuar më 28 qershor, u vendos që ndalimi i aplikacionit të bëhet për shkak të rreziqeve kibernetike që ai mbart.
Lajmin e bëri me dije zëvendësministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Bardhyl Dobra, i cili u shpreh:
“Ky vendim ka për synim të mbrojë institucionet shtetërore të Kosovës kundër kërcënimeve dhe veprimeve të sigurisë kibenernetike të cilat mund të shfrytëzohen për sulme kibernetike ndaj infrastrukturës së teknologjisë të informacionit dhe komunikimit të institucioneve të Kosovës”.
Më tej, shtoi:
“Vendimi i qeverisë detyron të gjitha institucionet publike të cilat janë pronare dhe administrojnë rrjete shtetërore të komunikimit që të vendosin kufizimet e nevojshme teknike për ndalimin e funksionimit të shërbimeve të aplikacionit TikTok në ambientet zyrtare të punës. Po ashtu, të gjithë zyrtarët publikë janë të detyryar që në pajisjet zyrtare të largojnë aplikacionin TikTok dhe skedarët instalues të tij”.
Qeveria e Kosovës shtoi gjithashtu se TikTok-u do të ndalohet nëpër institucione, pasi u ndoq shembulli i shteteve të tjera aleate. Edhe Bashkimi Europian e ka ndaluar përdorimin e TikTok-ut nëpër institucionet e veta, për shkak të shqetësimeve që lidhen me sigurinë.