Pas dy vitesh të ndarë dhe pa asnjë komunikim, Blero dhe Afrona u bënë bashkë në podkastin “Talk With Afrona”, në një intervistë plot emocione dhe të pathëna.
Blero dhe Afrona kanë qenë të martuar prej 7 vjetësh, mirëpo distanca duket se ka qenë faktori kryesor i krisjes së marrëdhënies që përfundoi në ndarje.
Blero u shpreh se gjithçka rrodhi ashtu siç rrodhi prej vendimeve të tij të pamatura dhe kokëfortësisë.
“Dua të kërkoj falje publikisht. Në atë kohë kam dashur të qëndroj në Kosovë dhe të mos vija me ty në Zvicër. Ti ke pasur të drejtë, por kokëfortësia ime ka qenë arsyeja kryesore e mosfunksionimit të martesës sonë. Edhe distanca”.
Më pas, ai u shpreh se Afrona sakrifikoi më shumë, pasi u shpërngul në Prishtinë, madje nisi edhe punë, por nuk u përshtat. Ndërsa ai nga ana tjetër, nuk bëri të njëjtën gjë.
Si Blero dhe Afrona, të dy, u shprehën se e kanë pasur të vështirë ta pranojnë fundin e martesës dhe një bisedë si kjo e tanishmja, ishte domosdoshmëri.
Një bisedë pa u fyer dhe pa i bërë keq njëri-tjetrit, duke e konsideruar këtë intervistë si shembull për çdo çift të ndarë, të cilët duhet ta pranojnë dhe të ecin para pa i bërë keq njëri-tjetrit.