Tragjedia në Mekë vijon të jetë tronditëse, pasi numri i pelegrinëve që kanë ndërruar jetë ka shkuar në mbi 1,000.
Më tepër se gjysma e viktimave janë besimtarë të paregjistruar që kryen pelegrinazhin e përvitshëm në vapën ekstreme në Arabinë Saudite. Vdekjet janë raportuar gjatë javës dhe sipas diplomatëve arabë, përfshijnë 658 persona nga Egjipti.
Sipas raporteve, 630 prej tyre ishin pelegrinë të paregjistruar, të cilët për të shmangur kostot e larta të udhëtimit dhe lejeve zyrtare, nisen nga vendet e tyre, pa kushtet e duhura në një mot të tillë ekstrem. Sipas Qendrës Kombëtare Meteorologjike, temperatura maksimale ka shkuar në 51.8 gradë Celsius.
Çdo vit mijëra pelegrinë i bashkohen pelegrinazhit të rëndësishëm fetar. Këtë herë, numri i viktimave të shkaktuara nga temperaturat e larta të motit, është shumë shqetësues. Vende të ndryshme si Pakistani, Egjipti, Indonezia, Kurdistani, Jordania, Irani, Tunizia dhe Senegali kanë regjistruar vdekje të shumta dhe identifikimi dhe gjetja e njerëzve bëhet edhe më e vështirë për shkak se nuk janë regjistuar në sistemin e lejeve zyrtare.
Të afërmit, miqtë e familjarët e pelegrinëve të humbur kërkojnë për njerëzit e tyre të dashur nëpër internet, spitale dhe morgje, për shkak se nuk kanë një informacion. Dy diplomatë arabë u shprehën se autoritetet kanë nisur procedurat e varrimit për pelegrinët që kanë ndërruar jetë.
“Varrimi është bërë nga autoritetet saudite. Ata kanë sistemin dhe procedurat e tyre, kështu që ne thjesht e ndjekim atë, “tha një diplomat. Një tjetër person u shpreh se ishte e pamundur që të gjitha familjet, veçanërisht ato egjiptiane, të njoftoheshin për të afërmit e tyre.
Arabia Saudite nuk ka dhënë një informacion të detajuar për humbjet e jetëve, por raportoi se më shumë se 2,700 pelegrinë patën raste të “lodhjes nga nxehtësia” në vetëm një ditë. Në raportimet e mëparshme, është thënë se shkaku kryesor i vdekjeve lidhet me nxehtësinë, ose sëmundje dhe gjendje që shkaktohen nga temperaturat e larta.