Serbia ka kërcënuar se do të heqë dorë nga kampionati europian, duke akuzuar tifozët shqiptarë dhe kroatë se kanë thirrur në stadium “vrisni, vrisni, vrisni serbët”. Sipas tyre, thirrjet kanë ndodhur gjatë ndeshjes së djeshme mes Kroacisë dhe Shqipërisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit në Serbi, Jovan Surbatovic, paraqiti një kërkesë që UEFA të marrë masa ndëshkuese kundrejt Kroacisë dhe Shqipërisë, për thirrjet e supozuara në minutën e 59-të të ndeshjes. Surbatovic ka thënë se Serbia është e gatshme të largohet nga Euro 2024 nëse nuk ndërmerret asnjë veprim.
“Së pari, dua të falenderoj tifozët tanë për mbështetjen në ndeshjen kundër Anglisë dhe shpresoj që të mundim Slloveninë. Ajo që ndodhi (në ndeshjen Kroaci-Shqipëri) ishte skandaloze dhe ne i kërkojmë UEFA-s që të ndërmarrë sanksione, edhe nëse kjo do të thotë që të mos e vazhdojmë më garën. Jemi të sigurt se ata do të ndëshkohen”, u shpreh ai.
Më tej, shtoi:
“Do të kërkojmë nga UEFA që do të dënojë të dy federatat. Ne nuk duam të marrim pjesë në këtë skandal, por nëse UEFA nuk i ndëshkon, do të mendojmë se si do të vazhdojë rrugëtimi ynë. Ne u ndëshkuam për raste të izoluara dhe tifozët tanë u sollën shumë më mirë se të tjerët. Një tifoz u dënua për fyerje raciste dhe ne nuk duam që kjo sjellje t’u atribuohet të tjerëve. Ata u përballën me një gjobë të rëndë nga UEFA”, përfundoi ai, referuar rastit kur u paraqitën pankarta me shprehje kundër Kosovës dhe banderola me hartën e përbashkët të Serbisë dhe Kosovës.
Ndeshja e radhës e Serbisë është kundër Sllovenisë.