Një ditë pas humbjes 2-1 me Italinë në ndeshjen debutuese të Europianit gjerman, kuqezinjtë kanë zhvilluar një seancë stërvitore në Kaiserau, duke nisur përgatitjet e sfidës me Kroacinë, që luhet më 19 qershor në Hamburg.
Lojtarët që ishin titullarë të shtunën, bënë palestër, kurse pjesa tjetër zhvilloi një seancë në plotë në mesditë, nën reshjet e shiut.
“Panorama Sport” mëson se sulmuesi i krahut, Jasir Asani kë marrë një goditje në kavilje dhe ka ndjerë dhimbje gjatë ditës së djeshme. Sot do të konfirmohet shkalla e dëmtimit dhe nëse rrezikon ndeshjen me Kroacinë.
Ndeshja e dytë në grup ka rëndësi shumë të madhe për kuqezinjtë, të cilët shpresojnë të marrin pikë për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit. Nuk do të jetë e lehtë, sepse edhe kroatët e kanë humbur ndeshjen e parë, madje me një rezultat shumë të thellë, 3-0 kundër Spanjës.
Ndoshta presioni do të jetë më i madh te Kroacia dhe ky është një faktor që duhet shfrytëzuar nga trajneri Silvinjo dhe stafi i tij. Shqipëria ka në dispozicion edhe dy seanca.