Një 63-vjeçare vendosi t’i jepte fund jetës këtë të shtunë duke u hedhur nga ura e vjetër e lumit Buna.
Rreth orës 16:25, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se një person është hedhur në ujërat e lumit Buna.
Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe punonjësit e Policisë, me një varkë janë futur në lumë dhe kanë nisur kërkimet.
Shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të Sh. O., banuese në lagjen “Dobraç”, e cila dyshohet se është vetëhedhur nga ura e vjetër e lumit Buna.
Sipas policisë, nga këqyrja paraprake e trupit të pajetë, nuk janë konstatuar shenja dhune, si dhe nga veprimet e para hetimore dyshohet se ajo vuante kohët e fundit nga depresioni.
Grupi hetimor në drejtimin e prokurorit, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Kujtojmë se më 2 maj Shkodra dhe e gjithë shoqëria shqiptare u trondit kur Alma Arrazi vendosi t’i jepte fund jetës duke u hedhur nga ura e Bunës së bashku me tre fëmijët e saj të mitur.
Për këtë ngjarje është arrestuar bashkëshorti Erdgys Arrazi, i akuzuar se shtyu drejt vetëvrasjes Almën, pasi ai kishte një lidhje jashtëmartesore me një 17-vjeçare.
Dy ditë më parë, Erdgys Arrazi, i dyshuar si shkaktar për vetëvrasjen e gruas së tij, Almës, bashkë me tre fëmijët, u la në burg nga Gjykata e Apelit