Kushdo që ka një llogari në rrjetet sociale ka hasur gjatë këtyre ditëve frazën “All eyes on Rafah”, por çfarë nënkupton ky slogan?
Fraza e shpërndarë pothuajse 35 milionë herë në Instagram, po përdoret nga aktivistët dhe grupet humanitare për të tërhequr vëmendjen e njerëzve për gjendjen e vështirë të popullit palestinez në Gaza.
Slogani synon jo vetëm të sjellë në fokus atë që po ndodh në Gaza, por gjithashtu të tregojë mbështetje për kauzën palestineze.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij në qytetin e Rafahut, duke arritur tashmë në zemër të qytetit, pavarësisht nga popullsia e madhe civile dhe protesta ndërkombëtare.
Rafah ndodhet në jug të Rripit të Gazës. Kufizohet me Egjiptin dhe ka qenë një vend ku mbi 1.5 milionë palestinezë kishin ikur në fillim të konfliktit, për t’i shpëtuar bombardimeve izraelite.
Megjithatë, që kur Izraeli filloi operacionin e tij në dhe rreth Rafahut tre javë më parë, OKB-ja ka vlerësuar se më shumë se një milion njerëz janë larguar tani nga qyteti, për të provuar edhe një herë t’i shpëtojnë luftimeve.
Të dielën mbrëma me orën lokale, një sulm ajror izraelit shkaktoi një zjarr në një kamp për të zhvendosurit, duke vrarë dhjetëra njerëz, shumë prej të cilëve ishin gra dhe fëmijë. Por Izraeli nuk është ndalur me kaq pasi ka sulmuar një tjetër kamp në perëndim të Rafahut, duke vrarë 21 palestinezë të tjerë.