Nëse keni adoleshentë në shtëpi, përfshirja e tyre në biseda mund të jetë një sfidë e vërtetë. Ata mund të ndihen të bezdisur sepse kanë kufjet në vesh, pëshpërisin në heshtje fjalë që shprehin mërzitje, tërheqje nga fokusi etj. E, nëse merrni realisht një përgjigje nga ata, atëherë jeni me fat!
Prindërit e dinë mirë se përballja me këtë fazë në jetën e fëmijëve nuk është gjithnjë e lehtë, ndaj mënyra si i mbijetoni pengesave për të shtruar mandej një rrugë drejt bashkëpunimit dhe komunikimit është ajo që nevojitet.
Mënyra se si flisni me adoleshentët ka shumë rëndësi, ndaj sa më rrallë që t’i përdorni shprehjet e mëposhtme, aq më mirë!
#1 “Nuk është ndonjë gjë e madhe”
Diçka që juve ju duket e vogël mund të jetë e rëndësishme për adoleshentin tuaj. Ndaj, kjo shprehje tingëllon si zhvlerësuese për gjërat që ata bëjnë dhe thonë, aq sa e vlerësojnë si banale.
#2 “Pse nuk i ngjan pak vëllait/motrës apo shokëve/shoqeve të tua?”
Këto lloj krahasimesh janë të dëmshme në çdo moshë. Në vend që të përqëndroheni te krahasimi me të tjerët, vlerësoni individualitetin e tyre dhe pranoni trajektoren unike të zhvillimit.
#3 “Ti duhet të…”
Asnjëherë mos hapni një diskutim me këshilla! Ju mund të sugjeroni ose të këshilloni, gjithmonë nëse këto iu kërkohen. Por, të nisni një bisedë në të tillë mënyrë, nuk nxit asnjë përvojë tek adoleshentët, madje merret në formën e urdhri.
#4 “Shijoje jetën tani, përpara se të kesh përgjegjësi ose probleme të vërteta.”
Ne duhet të përpiqemi të imagjinojmë se si duken gjërat nga këndvështrimi i adoleshentëve tanë, jo i të rriturve. Deklarata që u kërkojnë atyre të heqin dorë nga e tashmja duke u fokusuar tek e ardhmja, thjesht minimizon realitetin dhe rëndësinë e jetës aktuale.
#5 “Ti je kaq i/e papërgjegjshme. Çfarë nuk shkon me ty?”
Jo vetëm që është një shprehje lënduese, por ka të ngjarë të zgjojë mbrojtjen e adoleshentit ndaj jush. Mund të flisni për ndjenjat tuaja dhe të propozoni për zgjidhje të përbashkëta, por kritikat e forta asnjëherë nuk bëjnë mirë.
#6 “Nuk ka rëndësi se çfarë mendojnë të tjerët për ju.”
Edhe pse mund ta besoni se kjo është e vërtetë, ju e dini se adoleshentët shqetësohen shumë për mendimet apo miratimin e bashkëmoshatarëve të tyre. Ata nuk kanë kohë për të zhvilluar aftësi që kundërshtojnë ndjenjat dhe vlerësimet e shokëve/shoqeve të tyre, ndaj një shprehje e tillë i lëndon.
#7 “Kjo më ka ndodhur edhe mua kur isha në moshën tënde.”
Është e bukur ideja që të transmetosh një përvojë të ngjashme që mund të kesh pasur, duke vërtetuar vlefshmërinë e ndjeshmërisë suaj, por kjo lloj përgjigje nuk është gjithmonë ajo që fëmijët kanë nevojë. Adoleshenti juaj mund të mos ndihet i/e dëgjuar, ose ju nuk po e kuptoni se ata janë të ndryshëm nga ju dhe përvoja e tyre është thjesht unike.
#8 “Nëse do t’ia kisha thënë këtë prindit tim, ata do të…”
Është e pamundur ndonjëherë të mos krahasoni përvojat e adoleshentit tuaj me ato tuajat, por nuk është gjithmonë një ide e mirë t’i ndani këto mendime. Kjo bën që adoleshentët të ndjejnë se përvojat e tyre po gjykohen sipas standardeve të vjetra.