Prokuroria e Shkodrës ka rrëzuar alibinë se 39-vjeçarja Alma Arrazi u hodh së bashku me tre fëmijët e saj nga ura e vjetër apo ura e re në lumin Bunë mbrëmjen e tragjedisë, më 2 Maj.
Një kukull e gjetur nga policia poshtë urës së re të Bunës, e cila dyshohet se është e një prej vajzave të mbytura të Alma Arrazit, zbuloi edhe vendin ku 39 vjeçarja mund të ketë kryer aktin e rëndë.
Kukulla, e cila u gjet në këmbët e urës në një vend me zhavor dhe pemë e shkurre, është sekuestruar nga prokuroria dhe do t’i bëhet AND-ja për të zbuluar nëse i përket viktimave.
Pikërisht gjetja e kukullës bëri që palombarët e RENEA-s të përqëndronin kërkimet e tyre në këtë vijë ujore të lumit të Bunës.
Vetëm pak metra më tutje, tek pinarët u gjet trupi i pajetë i vajzës 8 vjeçare. Jo shumë larg nga pinarët, në një largësi prej afro 2-3 kilometër në afërsi të Oblikës në Anën e Malit u gjet edhe trupi i djalit 4 vjeçar dhe rreth 35 kilometër nga aty përballë fshatit Pentar në ujërat që i përkasin Malit të Zi u gjet edhe trupi i pajetë i Alma Arrazit.
Pista se Alma Arrazi mund të jetë hedhur nga ura e vjetër apo ura e re e Bunës për momentin për policinë dhe prokurorinë ka rënë poshtë.
Dyshohet se 39-vjeçarja Alma Arrazi pasi ka konsumuar kafen me kunatën e saj ka kaluar në këmbë në urën e vjetër të Bunës dhe më pas ka vijuar në drejtim të urës së re.
Ajo ka zbritur së bashku me fëmijët në bregun e lumit ku edhe dyshohet se kreu aktin e rëndë duke u mbytur bashkë me 3 të mitur, ngjarje e cila mendohet të ketë ndodhur rreth orës 22:00 të 2 Majit.
Deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që ka parë 39 vjeçaren dhe fëmijët duke ecur në urë apo edhe duke u ulur poshtë urës së re të Bunës apo edhe momentin kur Alma Arrazi i dha fund jetës së saj si edhe të fëmijëve.
Po ashtu të paktën deri më tani nuk ka asnjë dëshmitar që mund ta ketë parë Alma Arrazin duke u hedhur në ujë bashkë me vogëlushët, apo të ketë dëgjuar zhurma dhe të bërtitura fëmijësh.
Tashmë pritet që ekspertiza të kthejë përgjigjen e AND-së nëse kukulla i përket njërit prej fëmijëve të Alma Arrazit.
Prokuroria dhe policia vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë këtë ngjarje për të cilën është i ndaluar Erdgys Arrazi, bashkëshorti i 39 vjeçares për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes” si rrjedhojë e dhunës në familje, akuza të cilat vetë ai dhe i vëllai i tij i kanë mohuar ndryshe nga motra e Almës e cila e ka akuzar për dhunë në familje dhe tradhti