Vrasja makabre e Liridona Ademajt tronditi Kosovën disa muaj më parë.
Ditën e sotme Gjykata e Prishtinës ka vendosur të lërë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë tre të dyshuarit, bashkëshortin e saj Naim Murseli, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën.
Ka qenë Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, ajo që ka njoftuar se kjo gjykatë do të vazhdojë me masën e paraburgimit për Murselin, Plavën dhe Kokallën, të dyshuar kryesor për vrasjen e Liridona Ademajt, që ndodhi më 29 nëntor 2023.
Përmbledhje e ngjarjes:
Naim Murseli dhe bashkëpunëtorët e tij sajuan një skenar grabitjeje me qëllim për të vrarë Liridonën mbrëmjen e 29 nëntorit.
Teksa Murseli, Liridona dhe dy fëmijët po udhëtonin me makinë, ‘grabitësit’ u prenë rrugën dhe i ndaluan. Vetë Naim Murseli zbriti nga mjeti bashkë me dy fëmijët, duke lënë pas të shoqen që u qëllua për vdekje nga Granit Plava. Dëshmia e tij ngjalli dyshime dhe bëri që autoritetet të hetonin më tej.
Pamjet filmike të kamerave të sigurisë identifikuan Plavën e Kokallën, të cilët zbuluan se ishin paguar nga Murseli për të vrarë Liridonën. Arsyeja mbetet ende mister.
Varianti i parë është ai i parave të sigurimit të jetës që mund të përfitonte Murseli në rast se të shoqes i ndodhte një fatkeqësi, ndërsa i dyti, fakti që Liridona mund të kishte dijeni për një sekret të errët të të shoqit.