Pavarësisht se si ju laget telefoni – e zë shiu, ju bie në banjë ose rrëshqisni në pishinë – ndoshta zgjidhja më e njohur popullore është që ta vendosni pajisjen në një qese me oriz.
Orizi i thatë do të duhej të ndihmonte që ta nxjerrë lagështinë, duke e shpëtuar telefonin, sipas kësaj teorie.
Mirëpo ekspertët kanë theksuar me vite se kjo është ide e keqe – dhe tani kompania “Apple” zyrtarisht po i paralajmëron përdoruesit që të mos e bëjnë këtë.
“Mos e vendosni iPhone-n tuaj në qese me oriz. Duke bërë kështu, mund të lejoni që copëza të vogla të orizit ta dëmtojnë iPhone-n tuaj” – thuhet në një shkresë të re të kësaj kompanie.
Bashkë me rrezikun për dëmtim, testimet kanë sugjeruar se orizi i papërgatitur nuk është veçanërisht efikas për tharjen e pajisjes.
Kjo metodë e ka prejardhjen nga aparatet fotografik. Uebfaqja “The Verge” e gjen këtë metodë që në vitin 1946 si mënyrë për ta mirëmbajtur foto-aparatin. Nërkohë, përdoruesit në panik të telefonave kanë sugjeruar mënyra të rrezikshme, nga përdorimi i tharëses së flokëve deri te zhytja në alkool. Atëherë, çfarë duhet të bëni në të vërtetë?
Kompania “Apple” ofron udhëzime për përdoruesit që u vjen njoftimi për “vërejtje të lëngut”, kur mundohen që t’i mbushin telefonat me rrymë. Së pari, largojeni kabllon e rimbushjes në të dyja skajet. Pastaj shtypeni telefonin tuaj “lehtas në dorë me pjesën lidhëse teposhtë për ta larguar lëngun e tepërt”. Lëreni të thahet për të paktën gjysmë ore, pastaj – nëse telefoni dhe kablloja janë “tërësisht të thata” – mundohuni që ta rimbushni përsëri pajisjen. Nëse kjo përpjekje dështon, provoni prapë një ditë më pas.
Në dokumentin e ri mbështetës të kompanisë “Apple” përfshihen edhe dy paralajmërime të tjera, nëse ju laget telefoni:
“Mos e thani iPhone-n tuaj duke përdorur burim të jashtëm të nxehtësisë ose ajër të kompresuar.”
“Mos fusni objekt të huaj, si kruese veshësh ose letër tharëse, në pjesën lidhëse (ku futet rimbushësi).”
Nëse telefoni juaj nuk është duke funksionuar fare, fikeni menjëherë dhe mos shtypni asnjë pullë. Hapat e ardhshëm varen nga rrethanat tuaja specifike, por thënë gjerësisht: thajeni me peshqir dhe vendoseni në një pako të mbyllur hermetikisht, të mbushur me copa silici, nëse keni. Mos e rimbushni derisa të jeni të sigurt se është tharë.
Burimi: /Nacionale