Aktori amerikan Christian Klepser, i njohur me “emrin e artit” si Christian Oliver dhe dy vajzat e tij, Madita dhe Annik, 10 dhe 12 vjeç, kanë humbur jetën tragjikisht në një aksident ajror pranë Bequia, një ishull në Karaibe nga një aksident ajror.
Ata ishin pasagjerë të një avioni të vogël, të pilotuar nga Robert Sachs, i cili u ngrit nga aeroporti F Mitchell për në St Lucia, teksa hasi në vështirësi pak pas ngritjes, duke rënë dhe duke përfunduar i zhytur në ujërat e Karaibeve jashtë Bequia-s. Një dëshmitar okular, sipas informacioneve në media, ka qenë ai që ka ngritur alarmin pas aksidentit, duke lajmëruar: “Aeroplani u rrëzua – telefononi rojet bregdetare”, ndërsa peshkatarët e rastit dhe zhytësit nxituan në vendngjarje, por pavarësisht përpjekjeve të tyre, të katër trupat, përfshirë pilotin Robert Sachs, u gjetën të pajetë.
Shkaku i rrëzimit mbetet ende i pa zbuluar, teksa piloti telefoni kullën për telashet pas ngritjes, por komunikimi u ndërpre shpejt. Hetimet po vazhdojnë për të zbuluar rrethanat që çuan në këtë tragjedi shkatërruese.
51-vjeçari pati një karrierë mjaft të suksesshme në projektet kinematografike, duke u shfaqur në filma të mëdhenj si “Speed Racer” dhe “Valkyrie”, ndërsa së fundmi ishte pjesë e filmit të fundit të sagës së “Indiana Jones”.
Filmi i fundit i Christian Oliver, “Forever Hold Your Peave” do të dalë tashmë në kinema pas vdekjes së tij, teksa qindra, mijëra homazhe janë duke u bërë aktualisht në rrjetet sociale nga fansat e aktorit, për të dhe vajzat e tij, po ashtu edhe nga kolegët e bashkëpunëtorët e afërt, që e kanë quajtur një “njeri të bukur, me të cilin kanë pasur nderin të punojnë”.