Ndahet nga jeta në moshën 75 vjeçare i mrekullueshmi, aktori Mirush Kabashi.
Lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta e kanë bërë të ditur familjarët e tij përmes një njoftim në orët e para të ditës së sotme, duke thënë se ai vdiq pas mesnate me 5 Dhjetor.
“Të nderuar Miq, Kolegë dhe Dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se MIRUSH KABASHI ndërroj jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim. Me Respekt, Familja Kabashi!”– thuhet në njoftim.
Mirush Kabashi lindi më 17 prill 1948 në Shkodër dhe është rritur në Durrës, ndërsa është fitues i çmimit Artist i Merituar i Shqipërisë. Ai ka interpretuar mbi 100 personazhe në teatër dhe 20 në filma.
Origjina e tij është nga Gjakova. Me 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe filloi punë në teatrin “Aleksander Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993.
Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Gjithashtu, Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri. Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare.
Një pjesë të jetës së tij Kabashi ia ka kushtuar edhe teatrit me rolet e tij të larmishme, ku ndër to më i veçanti ka mbetur ai i Sokratit tek “Apollogjia e fundit e Sokratit”