Ftesa besëprerë e Naim Murselit për bashkëshorten e tij, Liridonën që të darkonin bashkë natën e të mërkurës së kaluar, ishte e fundit për nënën e dy fëmijëve.
Dyshohet se Naim Murseli në bashkëpunim me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën organizuan vrasjen e Liridona Ademajt për qëllime të ulëta.
Naimi bashkë me Liridonën dhe dy fëmijët po darkonin në një restorant në Graçanicë. Burime të “Indeksonline” bëjnë të ditur se Granit Plava është parë në oborrin e restorantit duke kontrolluar situatën para krimit.
Pak para se Naim Murseli dhe Liridona Ademaj të kryenin darkën e fundit, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla dyshohet se kanë marrë udhën paraprakisht drejt vendit tragjik ku ishte planifikuar vrasja e Liridona Ademajt.
I njëjti burim bën të ditur se gjatë rrugës ata kanë ndërruar veturën me të cilën ishin nisur nga restoranti në Graçanicë. Liridona Ademaj u vra me një plumb në qafë në një zonë të fshehtë në fshatin Sinidoll të Prishtinës, aty ku ishte organizuar vrasje makabre.
Naim Murseli në seancën e fundit dëgjimore deklaroi se nuk kishte ikur nga vendi i ngjarjes madje kishte qenë dhe vet i rrezikuar, duke mohuar kështu përfshirjen në vrasjen e bashkëshortes së tij, një deklaratë kjo kontradiktore, krahasuar me të parën ku kishte thënë se ka urdhëruar vrasjen e bashkëshortes.