Nga Sonila Meço
“E paemër, e mosozotshme vrasja e Liridonës, me pagesë, në sy të fëmijëve të saj, porositur nga bashkëshorti për 30 mijë euro.
Vrasje thashë? Jo mo jo!
Nuk është thjesht vrasje kjo…as kafshëri…por masakër, barbarì, kasaphanë në llumin e ndyrësisë së qenies ende me koshiencë.
Them “ende”, sepse çdo anamnezë, përpiluar sado saktë, që mund të radhisë në diagnozën e shëndetit mendor të gjitha patologjitë e mundshme që mund t’i gjenden një burri, prindi, bashkëshorti vrasës nuk e shpëtojnë dot njerëzimin nga njolla e tmerrshme e mëkatit më të ndyrë me burim ndërgjegjen: vrasja e organizuar dhe e paguar nga bashkëshorti prej 12 vitesh i nënës së dy fëmijëve të tij para syve të pafajshëm të tyre.
As thjesht urrejtje ndaj gruas nuk është, sepse para torturës mbi fëmijën e tij është dorëzuar edhe një nga kasapët më të egër të Holokaustit. Do kish kursyer shpirtrat e njomë të kërthijve të vet nga batërdia çnjerëzore.
Por ky është një mekanizëm pervers, ushqyer gjer në sistem, që arrin të bindë edhe një prind e burrë shtëpie se pasiguritë, epshet, ambicja dhe xhelozia vlejnë më shumë se jeta e një gruaje, nëne, motre, bije. Se pas tyre mund të fshihen si burrecë për të vënë në diskutim gratë.
Komodë në paaftësinë e tyre pranojnë më mirë të shuajnë një ekzistencë në mënyrën më barbare në sy të fëmijëve të vet, (mënyrë që sfidon instiktin prindëror edhe të një kafshe që të shqyen nëse ia lëndon të voglin e vet) sesa të mësohen me idenë se asnjë qenie tjetër nuk është pronë e tyre.
Unë e jam e bindur çdokush nga ju e ka njohur një palo burrë të tillë, në mos në familje, e keni ndeshur në punë, në rrjete sociale, të rimishëruar edhe nga shekuj po deshët në një variant të ri, por të një shpirti po njëlloj katran të zi, që “vret” gra, nëna, motra e bija në sy të fëmijëve të tyre, në mos me plumba, me fjalë të ndyra, kërcënime, shpifje, degradim e torturë psikologjike. Duke e vrarë ngadalë e jo me një plumb gruan brenda secilës.
Ndaj kjo nuk është një ngjarje kronike të zezë, as nuk duhet të përfundojë e “shqyer” nëpër analiza “të ndenjura” me koncepte klishe në studio televizive nga çdo kërkues vëmendjeje për 15 minuta.
Ky është momentum për një debat të madh, në kufijtë e rizgjimit shoqëror, riformëzimit, revolucionit të saj, që do të duhej të përfshinte intelektualë, akademikë, filozofë, sociologë, ajkën e mendimit shoqëror mbi situatën ku ndodhemi. Atë të brutalitetit të plotë, paaftësisë për të menaxhuar reagimet emocionale, injorancës ndjesore, mentalitetit të zotërimit e pasjes në dorë të jetës dhe nderit të dikujt, skllavërisë së re të njerëzve, që i nënshtrohen egërsisht pushtetit të parasë, konsumerizmit. Atë të terrorit, që ndjejnë disa njerëz nga pavarësia e tjetrit, liria e saj/tij, fjala e tyre, duke prodhuar prej tmerrit të tyre krimet monstruoze të asgjësimit të tjetrit. Atë të shkatërrimit të edukimit, kulturës, ndriçimit të mendjes në funksionit të nënshtrimit, gjallimit të turmës pa kujtesë, pa ndërgjegje, pa mendim.
Ky nuk është rasti për të ngopur kureshtinë morboze njerëzore me detajet e jetës private të një familjeje, apo dalldinë e një individi që i mori koka erë, por për t’u ndërgjegjësuar se jemi përgjegjës me shtresa, breza e nuk dimë edhe sesa për si e ushqejmë dhunën, brutalizmin, antivlerën e degradimin e gruas, njeriut, tjetrit.
Liridonë, na ndriço edhe me simbolikën e emrit tënd të nisim e çmojmë lirinë nga çdo agresion brutal njerëzor, që do të sundojë qoftë botën a qoftë një njeri të vetëm.”