Tërheqja e papritur e Kejsi Tolës dhe Samanta Karavellas nga gara e edicionit 62 të “Festivalit të Këngës” shkaktoi goxha polemika.
Të dyja artistet ishin pjesë e listës së Festivalit por u tërhoqën në të njëjtën kohë nga gara, duke i lënë shqiptarët me pyetjen se çfarë ndodhi dhe cila ishte arsyeja e largimit të tyre.
Kësaj pyetjeje për Samantën i është përgjigjur së fundmi menaxheri i saj, Arian Demolli. I ftuar në “Top Albania Radio”, ai tha:
“Shumë më kanë shkruajtur dhe më kanë pyetur për këtë gjë. Ne kishim një cikël dhe ajo gjëja po na merrte shumë kohë. Sa i përket tërheqjes së Kejsit, nuk kemi pasur kontakt dhe nuk e dinim planet e asaj. Pra s’ka pasur asnjë lidhje me ne.”
Dy artistet janë zëvendësuar nga Peter Pan Quartet me këngën ‘Edhe një herë’ dhe Irma Lepuri me këngën ‘Më prit’.
Këtë vit ‘Festivali i Këngës’ do të mbahet nga datat 19-22 dhjetor kur publiku do të vendosë përmes televotimit se kush do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2024 si çmim special kurse juria do të përzgjedhë fituesin e festivalit dhe çmimet e tjera.