Heidi Baci është rikthyer në qendër të mediave italiane pas intervistës së gjatë si e ftuar në emisionin “Verissimo” ku foli për përvojën në “Grande Fratello”.
Ajo u shpreh pa drojë për gjithë eksperiencën në këtë reality show dhe ekuilibrat që duket se iu lëkundën me protagonizmin, e më pas me daljen nga “Grande Fratello” pas takimit me të atin.
Heidi tha se e ëma kishte pësuar sulm paniku pasi e kishte parë të bijën në vështirësi brenda shtëpisë më të vëzhguar në Itali dhe për të gjithë këtë situatë shkas ishte bërë lidhja e saj me aktorin Massimiliano Varrese, disa vite më i madh se ajo në moshë.
“Në fillim më intrigoi Massimiliano. Një burrë i pashëm, simpatik, kishte këtë ajrin e një njeriu serioz, që di shumë, i urtë. Pra, fjalët e mia i referoheshin një përshtypjeje të parë. Më pas situata ndryshoi. Sepse të dashurohesh në tre javë, të paktën nga këndvështrimi im, është e pamundur. Gjithashtu, sepse e kam refuzuar shumë herë. Doja thjesht një marrëdhënie civile, bashkëjetese me të, ku brenda një reality show është kaq bukur të luash lojën. Pastaj u bë një fiksim që nuk e përballoja dot. E quajta një marrëdhënie jo të shëndetshme, nuk kishte mbetur liri,” u shpreh Heidi gjatë intervistës për “Verissimo”.
Ajo tha se ishte ai i kishte shkatërruar këtë eksperiencë, teksa fajësonte veten që nuk mundi të ngrinte mure të larta dhe të ishte më e ashpër dhe e vendosur në raport me të:
“Massimiliano është fatkeqësisht një shpirt i shqetësuar dhe këto janë gjëra që unë nuk mund t’i rregulloj. Unë me të e kam mbyllur,” përfundoi Heidi, duke “vulosur” kështu çdo hamendësim për një rikthim të mundshëm me aktorin apo tentativë për të rregulluar raportin me të.