Në ndeshjen e mbrëmshme mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, e cila përfundoi me rezultatin 0-0, në mes të tifozerisë u shfaq një banderolë me shprehjen “Zoti është shqiptar”.
Sot, thënia u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale për të ndezur reagime të ndryshme.
Disa komentues u shprehën kundër thënies, duke e etiketuar veprimin si një “nacionaliteti të verbër” dhe një thënie të tepruar, pasi Zoti nuk ka kombësi.
“Besoj se kjo banderolë nuk ka pasur ndonjë interpretim simbolik, por është një qasje e një “nacionaliteti të verbër”. Ne, si shqiptarë, ndaj jemi dëmi i vetes, se s’mendojmë për gjëra më sipër nesh”; “S’ka Zot tjetër përpos atij të plotfuqishmit”; “Po, po, sipas nesh, Zoti është shqiptar dhe Skënderbeu i dërguari i tij” shkroi dikush me ironi; “Nuk kursejmë asnjë dhe asgjë pa i bërë biografinë. Ja, e bëmë dhe Zotin shqiptar”; “Budallallëqe”; “Në fund e prishim gjithmonë”; “Kaq dimë, kaq bëjmë” ishin disa nga komentet që mendojnë se thënia është e tepruar.
Të tjerë, kanë një tjetër qasje: “Hajd, se shumë mirë është! Bravo për idenë”; “Po shumë mirë e kanë. Kot po e zmadhoni. S’e kanë pasur për atë “Zot” që mendoni ju, por për të lartësuar djemtë e kombëtares”; “Për mua s’ka ndonjë gjë të keqe”; “Mos e lidhni me fenë çdo gjë. Çunat mbase e kanë pasur në kuptim simbolik, që domethënë se ne jemi zotët e ndeshjes” ishin disa nga komentet e tjera.