Ndryshe nga herët e shkuara, deputetët opozitarë këtë të hënë nuk hodhën një, por disa tymuese në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.
Një prej tyre madje mori edhe flakë, të cilat fatmirësisht u shuan shpejt.
Seanca e sotme, e cila ishte parashikuar të ishte maratonë për shkak se do të votohej buxheti për vitin 2024, zgjati rreth 5 minuta.
Kryeparlamentarja Nikolla u përpoq ta kthente seancën në normalitet duke u bërë thirrje deputetëve të opozitës.
“Kolegë deputetë, qytetarët kërkojnë të dëgjojnë buxhetin e tyre , pse nuk doni të flasim për rritjen e pagave… ju bëj thirrje të vijojmë me diskutimet për buxhetin siç qytetarët e meritojnë. Qytetarët duan të dëgjojnë, ju ç’keni pse doni të heshtni sot, pse nuk doni të diskutoni”, tha ajo mes të tjerash.
Megjithatë, apeli i saj ishte i kotë.
Në këtë pikë, Nikolla kaloi për votim në parim projektligjet e parashikuara që kaluan me votat e mazhorancës.
Me 83 vota pro u votua në parim edhe buxheti i vitit 2024.
I pranishëm në sallë ishte edhe kryeministri Edi Rama.