Një fanse e këngëtares Taylor Swift ka humbur së fundmi jetën gjatë koncertit të mbajtur në stadiumin “Olímpico Nilton Santos” në Rio de Janeiro.
23-vjeçares Ana Clara Benevides i ra të fikët gjatë shfaqjes dhe besohet të ketë pasur një arrest kardiak sipas kushërirës së saj, Estela Benevides.
Mjekët në stadium u përpoqën ta mbanin në jetë vajzën e re, por nuk ia dolën dot.
Ndërkaq, pas kësaj tragjedie ka reaguar edhe babai i së ndjerës i cili me anë një interviste deklaroi se Ana “iku për një ëndërr dhe u kthye e vdekur”.
Ndërsa shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur, mediat raportuan se fansat nuk u lejuan të fusnin ujë në stadium pavarësisht temperaturave të larta.
Duke folur për gazetën Folha de Sao Paulo, 53-vjeçari Weiny Machado e quajti vajzën e tij ‘të lumtur dhe inteligjente’.
Ai shtoi:
“Kam humbur vajzën time të vetme, një vajzë të lumtur dhe inteligjente. Ajo ishte gati të diplomohej në Psikologji prillin e ardhshëm. Dëshiroj që të zbulohet nëse në fakt u është ndaluar të sjellin ujë, nëse ka pasur neglizhencë në dhënien e ndihmës. E di që këngëtarja po shpërndante ujë për fansat e saj dhe kjo është absurde për një ngjarje të këtyre përmasave. Asgjë nuk do ta kthejë vajzën time, por shpresoj që nëse konfirmohet neglizhenca, dikush do të dënohet, që kjo të mos ndodhë me askënd.”
Këngëtarja e “Love Story” ishte duke performuar në Rio de Janeiro kur Ana vdiq. Ndërkaq, Swift pas ngjarjes tragjike reagoi duke thënë se:
“Nuk mund ta besoj që po i shkruaj këto fjalë, por me zemrën e copëtuar them se humbëm një fans sonte para shfaqjes sime. Unë as nuk mund t’ju them se sa e shkatërruar jam nga kjo.”