Nuk kanë fund rastet e keqtrajtimit në kopshtet dhe çerdhet shqiptare.
Një edukatore 57-vjeçare në Elbasan dyshohet se ka dhunuar një djalë 5-vjeçar që vuan nga autizmi, si dhe ka nxitur fëmijët e tjerë të reagojnë ndaj tij.
Sipas rrëfimeve që vogëlushët u kanë bërë prindërve të tyre, ata kanë marrë udhëzime nga edukatorja që të ofendojnë dhe rrahin shokun, i cili shfaq herë pas here shenja hiperaktiviteti.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Bashkisë Elbasan lidhur me këtë ngjarje.
Në njoftimin zyrtar sqarohet se rasti është referuar nga prindërit më 26 tetor dhe menjëherë në datën 27 tetor, është mbledhur drejtoria e kopshtit së bashku me përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në Bashkinë e Elbasanit.
REAGIMI I PLOTË:
Lidhur me njoftimin e bërë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit për hetimin në gjendje të lirë të një edukatoreje në një nga kopshtet publike të qytetit bëjmë me dije se:
Rasti është referuar nga prindërit në 26 tetor pasdite, kur sipas tyre , fëmijët pretendojnë se edukatorja i ka nxitur të reagojnë ndaj 5 vjeçarit autik, i cili herë-herë shfaq hiperaktivitet dhe sjellje të dhunshme.
Menjëherë në datën 27 tetor (e premte) prindërit janë mbledhur nga drejtoria e kopshtit së bashku me përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në Bashkinë e Elbasanit për të diskutuar rastin.
Menjëherë të hënën, në datë 30 tetor ndaj edukatores është marrë masa e pezullimit deri në zbardhjen e plotë të asaj çfarë ka ndodhur në kopsht.
Më pas një grup pune i përbërë nga psikologë, punonjës socialë, përfaqësues të sektorit të arsimit parashkollor në bashki, sektori i mbrojtjes se femijeve, përfaqësues të ZVA dhe përfaqësues të policisë është ngritur për të hetuar rastin.
Duke qenë se fëmija ka problematika të spektrit autik rasti kërkon kujdes të veçantë dhe mbikqyrje të psikologëve. Ndërkohë edukatorja vijon të jetë e pezulluar deri në sqarimin e situatës.