Ligji që detyron studentët e mjekësisë të qëndrojnë për 5 vite në vend, është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka pranuar kërkesën e studentëve dhe një grupi deputetësh. Ligji do të pezullohet deri në shqyrtimin e detajuar të tij.
Ky ligj u këndërshtua fort nga studentët, të cilët bënë disa protesta, në të cilat kërkonin që të mos kalonte në parlament dhe t’u siguronte atyre më shumë mundësi dhe kushte, që të punonin me dëshirë në vend.
Qëllimi i ligjit ishte parandalimi i ikjes masive të mjekëve të rinj nga Shqipëria dhe parashikonte që studentët të nënshkruanin një marrëveshje me universitetin dhe ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë. Në marrëveshje thuhej se duhet të qëndronin për 5 vite në Shqipëri, pas mbarimit të shkollës.
Vitet e fundit, Shqipëria po përballet me largimin masiv të bluzave të bardha, kryesisht drejt Gjermanisë. Kur adresoi problemin, kryeministri Rama u shpreh se “shteti shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Ky është problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha që dhe ne ta adresojmë. Nuk mjafton që të kryesh një shkollë dhe të kesh përmbushur detyrimet e tua në aspektin teorik, por duhet dhe aspekti praktik.”