Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka gjobitur me 100 milionë lekë të vjetra kompaninë telefonike “ONE”, pas denoncimeve të shumta të klientëve gjatë muajve të fundit, për abuzimet nga kjo kompani celulare.
Sipas AKEP, kompania nuk ka zbatuar detyrimet ndaj klientëve, duke i faturuar ose ndërprerë shërbimin në shkelje të marrëveshjes mes dy palëve.
“Për vlerësimin e përshtatshmërisë dhe proporcionalitetit të dënimit, Këshilli Drejtues i AKEP çmon, së pari, se kufizimi apo ndërprerja e shërbimit pa respektuar kushtet e nenit 109 të ligjit 9918/2008, cenon rëndë interesat e pajtimtarit për një shërbim përherë e më të rëndësishëm në veprimtarinë e karakterit privat apo sipërmarrës të pajtimtarit”, thuhet ndër të tjera në vendimin e AKEP.
AKEP ka konstatuar se janë shkelur të drejtat thelbësore të klientëve, “asaj të respektimit rigoroz të të drejtave të pajtimtarit nga sipërmarrësi i komunikimeve elektronike si dhe neglizhenca e nevojës për marrjen e të gjitha masave të nevojshme dhe të shpejta për sigurimin efektiv të këtyre të drejtave”.
Vlen të theksohet fakti se abuzimet e kompanisë celulare “One Albania” kanë shqetësuar edhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.