Lista e publikuar paraprakisht e artistëve pjesëmarrës në Festivalin e RTSH këtë vit premtonte shumë, megjithatë sic tashmë është bërë e ditur, Kejsi Tola dhe Samanta Karavella, janë tërhequr nga gara, pa dhënë asnjë arsye.
Të kontaktuara nga mediat, këngëtaret nuk kanë bërë publike arsyen, megjithatë fansat e tyre dhe të Festivalit e kanë një teori.
Po t’i hedhim një sy komenteve në faqen zyrtare të Festivalit dhe RTSH-së, në shortin rastësor që është bërë për radhitjen e këngëtarëve në netët “live”, ku u vu re edhe mungesa e Kejsit dhe Samantës, ka ndjekës që pretendojnë se këngëtaret kanë bërë një hap pas, duke qenë se mund të jetë vendosur që fitorja “t’i jepet” Elsa Lilës.
Këto janë akuza që në fakt përsëriten për eventin, teksa ka ndjekës të tij, por edhe artistë të ndryshëm që pretendojnë se fituesi vendoset paraprakisht.
Gjithsesi, pavarësisht teorive të konspiracionit, nuk ka asgjë të konfirmuar dhe këtë mund ta bëjnë vetëm artistet që kanë lënë garën pa e nisur fare.