Lorik Cana, i ftuar në Më Lër të Flas, foli për eksperiencën e tij pasi udhëtoi në të njëjtin avion me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Macron vizitoi këtë muaj Shqipërinë, në një vizitë ku ish-futbollisti ishte pjesë e delegacionit të tij.
“Ma ka dërguar ftesë që të isha pjesë e delegacionit kulturor, si njeri që ka krijuar ura mes dy vendeve. E pranova direkt ftesën dhe të udhëtoja me të. Në 2 orë e 30 minuta me të, e takova vetëm për 30 minuta. Ai erdhi i fundit, takoi të gjithë njerëzit që ishin aty. Unë iu prezantova, ai më tha që të njoh shumë mirë dhe që ishte fans i imi.
Pas një orë, një orë e ca, më ftoi tek pjesa e avionit ku qëndronte Macron. Ne kishim të drejtë që në pjesën e dytë të bënim foto etj, në pjesën e për nuk lejohej të merrej telefoni. Ai më kishte ruajtur vendin pranë tij, pastaj e ndihmova dhe për fjalimin e tij shqip. Ishte një komunikim interesant, dy tifozë të Marsejës. Ishte kurioz edhe për Shqipërinë, pastaj folëm dhe për Kosovën.
Unë i fola për marrëdhëniet me Serbinë, shumë gjëra, jo për ndeshjen, i thashë që jemi të drejtuar drejt Evropës dhe duam të gjejmë vendin tonë në Evropë.
Unë i dhashë dy dhurata, së pari fanellën e Kombëtares si simbol bashkimi dhe suksesi për ne shqiptarët. Dhe dhurata e dytë, ishte fanella e fundit që kam mbajtur si kapiten i Marsejës. Ishte tepër personale si dhuratë.”– tha Cana.