Mbrëmjen e djeshme ka filluar transmetimi i ‘Festivalit të Këngës së Radio Televizionit të Kosovës’.
Dy prezantuesit ikonikë të ekraneve shqiptare, Adi Krasta e Besim Dina kanë bërë hapjen e edicionit, që po cilësohet historik.
Ky Festival u dedikohet artistëve të Kosovës, të dikurshëm e të tashëm, të vjetër e të rinj, të cilët krijuan në ditë të vështira e të bukura, me dashuri të madhe për vendin dhe kombin”, u tha në fillim të këtij festivali.
Kryetarja e jurisë së Festivalit të Këngës në RTK, Alma Bektashi ka çmuar organizimin e kësaj ngjarjeje, duke thënë se Kosovës i është dashur më herët një festival i tillë.
Është dashur të fillohej më herët sesa pas 20 e disa vjetëve, por unë jam gëzuar shumë sepse kur kam hyrë në prova, pata një lloj emocioni të pashpjegushëm sepse m’u kujtua vetja kur kam qenë 16 vjeç dhe kam kënduar te Akordet e Kosovës, ndoshta ai ka qenë festivali i fundit”, ka thënë ajo.
Tetëmbëdhjetë këngëtarë/banda janë përzgjedhur që të marrin pjesë në netët finale të Festivalit të parë të Këngës, të organizuar nga Radiotelevizioni i Kosovës: InorgA me këngën “Shumë herë më nervozojnë”, Albin me “Ajo”, Bana Zahiti me “Dukat”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Arjela Krasniqi me “Emri grua”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Vjosa Shehu me “Vetes”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, Ermal Demiri me “Merri”, Franc Koruni me “Shqip”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Neki Emra me “Heroi im”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Saranda Alija me “Mendj ku je”, Teuta Statovci me “Sekreti i tij”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Klea Dina me “Trenat” dhe Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”.