Këngëtari i njohur, Big Basta, emri i vërtetë i të cilit është Gerald Xhari, ka folur në emisionin “Live from Tirana” për rikthimin e tij në Shqipëri dhe planet për projektet e ardhshme muzikore.
Bigu dhe partnerja e tij në jetë dhe në skenë, Vesa Luma, do të vijnë me një bashkëpunim muzikor në ‘Festivalin e 62 të Këngës’, një rikthim që të gjithë e prisnin.
Por si duket Shqipëria në sytë e tij, ka ndryshuar gjë nga largimi e deri më sot? Zbulojeni si më poshtë:
Përse kjo zgjedhje për t’u larguar?
– Doja të isha aty ku fillon bota. Ne që të vegjël jemi përpunuar për t’u larguar nga Shqipëria, që kur mësojmë gjuhët e huaja. Nuk na ka përgatitur njeri për të ndenjur në Shqipëri. E kuptova duke qëndruar andej se sa e rëndësishme ishte Shqipëria. Në Zelandën e Re kanë një politikë të jashtëzakonshme, të thonë që duhet ta duash shumë vendlindjen tënde. Ne si popull kemi të mirat dhe të këqijat tona, si çdo popull tjetër. Unë u riktheva dhe së bashku me Vesën kemi vendosur të rrisim pasionin tonë sa i përket muzikës si dhe duam që djali të perfeksionojë gjuhën shqipe. Të rrijë me gjyshërit dhe njerëzit e tij të afërm”, -tha Big Basta.
Rikthimi në Shqipëri, a ka ndryshuar diçka në vend për Big Basta-n?
– Jemi viti 2023, Shqipëria është vend i bukur. Unë jam rrepist dhe rrepistat duhet të jenë opozitarë të përhershëm. Shqipëria i përshtatet çdo lloj brezi.
Para disa vitesh ke sjellë një këngë me Renis Gjokën të titulluar “Një hap përpara”, e cila bëri bujë me fjalët emocionuese ku “dënonje” politikën e ashpër në Shqipëri. A identifikohet Big Basta si një rrepist që i këndon ‘halleve’ të shqiptarëve?
– Mendoj se edhe në dekadat në vazhdim prapë do të ketë vlerë çdo germë e këngëve të mia. Shpesh kam bërë edhe këngë që janë komerciale, nuk i kam shijuar në maksimum, shijoj kur bëj vargje të vërteta. E shoh veten shumë mirë të pozicionuar në këtë zhanër, më jep jetëgjatësi. Sa më e vjetër bëhet vera aq më e shijshme bëhet, të njëjtën gjë dua edhe unë me këngët e mia.
Si ka ndryshuar tregu muzikor në Shqipëri sipas teje?
– Në tërësi ka ndryshuar shumë. Tani ka rrallë artiste të zhanrit rrok. Hip-hopi ka fituar si kulturë, është përhapur në Shqipëri. Ka artistë të mirë, por ka edhe kalimtarë. Nga ana cilësore është shumë lart. Një nga të preferuarit e mi është Lyrical Son. Ka edhe të tjerë, ka artistë të rinj që janë shumë të mirë. Po ecin me hapat e duhur.