“Faleminderit për të gjitha mesazhet që më keni dërguar, mbështetja juaj është shumë e nevojshme në këto momente.
Aktualisht jam i shtruar në spital për shkak të dy ulcerave që më shkaktuan hemorragji të brendshme. Falë transfuzioneve të gjakut tani jam shumë më mirë. Falënderoj stafin mjekësor që më shpëtuan jetën”, – kështu do të shprehej para disa ditësh nga ambientet e “Fatebenefratelli”, këngëtari i njohur, Fedez.
Por, përpos problemeve fizike duket se 33-vjeçari ka kaluar një fazë delikate të shëndetit mendor.
Artisti i njohur kishte pranuar ftesën në emisionin “Belve”, në “RAI” për të folur publikisht rreth kësaj teme, por duke qenë se përfundoi në spital po shfrytëzon mediumet e tij për të ndarë eksperiencën personale me depresionin pasi u diagnostikua me kancer.
“Doja të flisja për shëndetin mendor veçanërisht me të rinjtë, sidomos me ata që ndihen të keqkuptuar dhe të papranuar askund. Ndoshta duke dëgjuar përvojën time, atë të një personi që mendon se është i lumtur sepse ka gjithçka, mund t’i ndihmojë të ndihen më pak vetëm. Kur zbulova se kisha sëmundjen e rrallë neuroendokrine të pankreasit kërkova dikë që po përjetonte të njëjtën situatë si unë ose të ngjashme me timen“,- u shpreh ai për “Corriere della sera”.
Babai i dy fëmijëve vijoi rrëfimin e tij, duke u shprehur:
“Kanceri shkatërroi çdo gjë. Humba plotësisht qartësinë. Fillova të marr ilaçe psikotrope për të trajtuar efektet anësore të ilaçeve të kancerit, e kështu me radhë. Fillova të belbëzoja dhe të kisha problemet e para me komunikimin dhe mungesën e përqendrimit. Arrita në një pikë ku më duhej të ndaloja gjithçka nga frika se po humbisja mendjen dhe si rrjedhojë, nuk do të shihja fëmijët e mi të rriten. Isha në depresion dhe s’doja t’ia pranoja vetes”.
Momentalisht Fedez ndiqet nga një psikoterapist dhe një psikolog, por ai ka provuar gjithashtu terapi alternative, të tilla si stimulimi transkranial dhe goditjet magnetike në tru.